Prezantimi i projektit te Ringtoneve Patriotike

     
   

Fjala në konferencën për shtyp në prezantimin e projektit
“Këngët e lirisë së Shqipërisë”,
1912-2012

Në fokus të projektit “Këngët e lirisë së Shqipërisë” i cili po promovohet në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, janë vendosur meloditë e këngëve më të njohura patriotike shqiptare (ato qytetare dhe popullore), kushtuar Shqipërisë dhe idealeve për liri të shqiptarëve. Kjo nismë artistike u realizua së bashku me kompaninë “Eagle” mobile, pasi çmojmë se kjo kompani vlerëson dhe i jep rëndësinë që duhet, përdorimit të simboleve tona kulturore dhe identitare në zhvillimin e veprimtarisë së saj ekonomike.
Duke parë natyrën e projektit i cili është i pari i këtij lloji në Shqipëri, lind pyetja se çfarë përfaqësojnë këngët patriotike dhe cila është rëndësia e tyre për shqiptarët kudo ku janë?
Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje le të kthehemi prapa në vite duke hedhur një vështrim të shpejtë mbi situatën muzikore të fillimit të shek. XX, kohë kur edhe shumica e këtyre këngëve janë krijuar. Gjëja e parë që të bën përshtypje, në ato vite të Rilindjes së përgjithshme kombëtare, padyshim që është e lidhur me themelimin e shoqërive artistike dhe muzikore, si dhe përgjithësisht krijimin e repertorit të tyre muzikor patriotic, i cili sipas Nolit do të bënte:…zgjimin artistik me anën e muzikës, hollësimin e shijes dhe krasitjen e mendjes së shqiptarit me harmoninë e tingujve. Përmbledhtazi mund të themi se kjo panoramë i përngjasonte një yllësie lirie, pasi këngët e krijuara dhe kënduara prej tyre qerthulluan pothuajse gjithë Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe diasporën shqiptare në Rumani, Bullgari, Egjypt, Turqi, Amerikë etj.
Sipas Mihal Gramenos, në librin “Kryengritja shqiptare” (i shkruar në vitin 1908, dhe i botuar rreth vitit 1926), i cili përmban: … historinë e vërtetë të lëvizjes për lirinë e Shqipërisë, theksohet se këngët patriotike ishin pjesa më e rëndësishme e përpjekjeve për liri. Po shkëpus për ju një episod prej këtij libri. Në një rast të ndodhur në rrethinat e Ohrit ku Mihali ishte së bashku me cetën e tij të patriotëve, ai shkruan se: … kënduam për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, e të tjera këngë trimore, kur Çerçiz Topulli ngrihet edhe na mbleth të gjithë në valle duke kënduar këtë këngë:
Shqipëri, moj Shqipëri, Shqipëri pes’ Vilajete
Pse s’u përpoqe për vete, po për shumë ti milete! etj.
U mallëngjyesh kaqe tepër nga kjo këngë, e cila më pikëllojti në zemër, sa nuk durova dot, po u hoqa mënjanë edhe, pa dashur, zura të qanj si nonjë foshnjë…! Njoftimet për rëndësinë e këngëve patriotike për çlirimin kombëtar janë të pafundme në të gjithë Shqipërinë, por besoj se nuk ka një rast tjetër të ngjashëm në gjithë historinë e muzikës botërore, si ai i “Bandës së Lirisë” në Korçë, ku përveç veprimtarive koncertore, instrumentistët e saj kanë marrë pjesë me armë në betejat për çlirimin kombëtar. Në betejën e Orman Çifligut, dhanë jetën natën e 29-30 Korrikut të vitit 1911 edhe muzikantët e saj, dëshmorë e atdheut: Kosta Kosturi, Odhise Pjasto dhe Tushi Krastafillaku. Pikërisht, se këto këngë janë këngë të shpirtit liridashës të shqiptarëve, kanë qënë, janë dhe do të jenë pjesë e pandashme e trashëgimisë së tyre shpirtërore.

 



Ndër këngët qytetare patriotike përmendim: Himni “Rreth flamurit të përbashkuar”, fjalët Asdreni (1872-1947), muzika C. Porumbescu (1853-1883); “Për mëmëdhenë”, fjalët Mihal Grameno (1871-1931); “O trima luftëtarë”, fjalët Thanas Floqi (1884-1945); “Dua më shumë Shqipërinë”, fjalët Thoma Avrami (1869-1943); “Himn i Kongresit të Lushnjës”, fjalët Ferit Vokopola (1887-1969); “Dragojtë e Shqipërisë”, fjalët Mihal Ballkameni; kënga e“Shoqërisë Dëshira-Sofje”, fjalët Spiro Garo; “O popull luftëtar”; “Më thërret nderi”; “Zëri i Atdheut”, fjalët A. Pepa; “Sa të rrojë gjithësia”-refreni, fjalët Kol Tromara; “Alfabetit”-refreni, fjalët Parashqevi Qiriazi; “Kur vjen behari çel qershia”-refreni, fjalët Loni Logori (1871-1929); “Se ç’u mbushën malet me borë”.
Ndër këngët popullore patriotike përmendim: Kënga e “Ali Pashë Tepelenës”, popullore shkodrane; Melodi “Maje Kraje” me bilbil, popullore veriore; “Krisi topi”, popullore shkodrane; “Te rrapi në Mashkullorë”, popullore jugore; Melodia e “Valles së Osman Takës”, popullore çame; Kënga e “Halil Garrisë”, popullore veriore; Kënga e “Martaneshin s’un e shtroj”, popullore veriore; Melodia e “Valles së burrave te Kukesit”, popullore kuksjane; Kënga e “Hajredin Pashës”, popullore dibrane; Melodia e “Valles së Isuf Arapit”, popullore jugore;

Sot në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, këngët patriotike shqiptare janë: pjesë e identitetit kulturor shpirtëror të shqiptarëve; janë të realizuara artistikisht në pikëpamje të bukurisë dhe vlerave melodike, harmonike dhe ritmike; vijnë nga mbarë krahinat e vendit, pra kanë një shpërndarje gjeografike mbarë shqiptare; janë këngë që i këndohen vlerave dhe cilësive më të mira të shqiptarëve dhe nuk drejtohen kundër ose të nxisin urrejtjen ndaj një kombi ose shteti tjetër dhe kanë në përmbajtjen e tyre muzikore ndërtime të thjeshta melodike shumë të përshtatshme për t’u përdorur si stilema dhe tema melodike edhe jashtë kontekstit të tekstit të kënduar.

Shpresoj se me ritingëllimin në formën e ringtoneve të këtyre melodive në hapësirën shqiptare, ndërmarrim një nismë kulturore për rijetëzimin e këtyre vlerave historike mes nesh. Në një lloj kuptimi, sjellja e shpirtit të asaj kohe përmes muzikës, shërben edhe si një shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë autorët e këngëve dhe patriotet shqiptare që ndikuan me jetën, veprën dhe punën e tyre në lirinë e Shqipërisë. Së fundi, një falenderim për kompaninë “EAGLE” dhe stafin e saj me të cilin pata rastin të bashkëpunoj: Z. Orkunt Yozgat, Zj. Nevila Bejleri, Zj. Blerina Zeneli, Z. Murat Gurkas, Z. Alban Tartari si dhe për dy ish-studentët e mij të kompozicionit Edi Balili dhe Klodian Qafoku për realizimin në studio të materialeve muzikore!
Ju faleminderit!

Tiranë më, 3 prill 2012

   
    kliko per me shume