Prezantimi i Databazes se Iso-polifonise ne MTKRS
     
   

U prezantua në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve databaza e iso-polifonisë si pjesë e rëndësishme në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z.Aldo Bumçi e vlerësoi këtë nismë duke theksuar gjithashtu rëndësinë që ka katalogimi dhe ruajtja e vlerave të trashëgimisë shpirtërore. Eshtë detyrë e jona shtoi ai që pasurinë e trashëguar ndër shekuj ta konservojmë dhe dixhitalizojmë në mënyrë që këtë pasuri shpirtërore të popullit ta përçojmë në të ardhmen me metoda  bashkëkohore.

Duke pasur parasysh shtoi ministri, se sa e pasur është Shqipëria me vlera të trashëgimisë kulturore, ky është vetëm fillimi i punës për vlerësimin e kësaj trashëgimie përmes formave të regjistrimit dhe katalogimit.

Ndërsa Akademiku Vaso Tole tha se përmes këtij sistemi të dhënash do të rriten kapacitetet për ruajtjen dhe transmetimin e iso-polifonisë duke ju ardhur në ndihmë institucioneve të ndryshme, specialistëve të fushës, publikut të interesuar etj. 
Ka qenë hap i rëndësishëm shtoi Z. Tole futja e iso-polifonisë në kurrikulat shkollore për edukimin e të rinjve me vlerat e trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe të diversitetit kulturor. Ky database do të mbetet gjithmonë një faqe e hapur për pasurim të mëtejshëm e mbylli fjalën e tij Z. Vaso Tole.

Iso-polifonia është pjesë e " Representative List of the Intangible Cultural Heritage of Humanity"-UNESCO, 25 Nov 2005 dhe pjesë e listës kombëtare të "Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore", 29 Shtator 2010.